Shteti paguan zyrtarisht 30 për qind më shumë se privati, thellohet hendeku në 2025
Paga mesatare në sektorin publik në Shqipëri ka kaluar pragun e 100 mijë lekëve në vitin 2025, duke thelluar diferencën me sektorin privat.
Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin shtetëror arriti në 100,280 lekë gjatë vitit 2025, ndërsa në sektorin privat u regjistrua në rreth 77,155 lekë.
Kjo diferencë prej më shumë se 23 mijë lekësh do të thotë se shteti paguan zyrtarisht rreth 30 për qind më shumë se sektori privat, edhe pse në këtë të fundit niveli i informalitetit mund të bëjë që paga reale të jetë disi më e lartë.
Rritje e pagave në të dy sektorët
Në vitin 2025 pagat në sektorin publik u rritën me rreth 8.9 për qind në bazë vjetore, ndërsa në sektorin privat rritja ishte rreth 8.4 për qind.
Megjithatë, ritmi më i shpejtë i rritjes së pagave në administratën shtetërore gjatë viteve të fundit ka bërë që hendeku mes dy sektorëve të zgjerohet sërish.
Diferenca e pagave ishte ngushtuarnë vitin 2022, kur pagat në shtet ishin rreth 20 për qind më të larta se në sektorin privat, por në vitet pasuese ajo është zgjeruar deri në rreth 30 për qind.
Sektori publik më konkurrues në tregun e punës
Rritja e pagave në administratë lidhet edhe me planin e qeverisë për të rritur pagën mesatare në vend në rreth 900 euro.
Sipas ekspertëve, kjo situatë mund të rrisë konkurrencën për fuqinë punëtore dhe të orientojë më shumë profesionistë drejt sektorit publik.
Ndërkohë, bizneset private përballen me një presion të dyfishtë, pasi përveç emigrimit të fuqisë punëtore duhet të konkurrojnë edhe me pagat më të larta që ofron administrata.
Rritja e pagave dhe presioni mbi bizneset
Pagat në sektorin shtetëror kanë ndjekur një trend rritës gjatë viteve të fundit, nga rreth 64 mijë lekë në vitin 2020 në mbi 100 mijë lekë në vitin 2025.
Nga ana tjetër, edhe pagat në sektorin privat janë rritur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, duke kaluar nga rreth 48 mijë lekë në mbi 77 mijë lekë.
Megjithatë, rritja e kostove të punës për bizneset mund të përkthehet në presion mbi çmimet e produkteve dhe shërbimeve, duke rritur rrezikun për një cikël të ri inflacioni në ekonomi.